Kreu i opozitës Lulzim Basha prezantoi përpara banorëve të Dumresë dhe Belshit në Elbasan programin ekonomik të Partisë Demokratike për bujqësinë dhe shtresat në nevojë. Bujqësia është një sektorët kyç për zhvillimin e ekonomisë, ndaj tha Basha është menduar që t’OI kushtohet një rëndësi e veçantë.
“Ne kemi vendosur të investojmë në fshatin shqiptar 150 milionë euro në vit. Si do të investohen? 50 milionë në vit do të investohen për infrastrukturën. Vaditja, kullimi, ka zona ku nuk është vënë dorë në këto 2 vite e gjysmë, ka zona ku nuk është vënë dorë 10 vjet. Ne do të ndërtojmë një skemë subvencionimi që t’i vijë çdo familje fermeri në ndihmë”, deklaroi Basha.
Politikat sociale zënë një vend të rëndësishëm në programin e Partisë Demokratike. Lulzim Basha thotë se sasia e energjisë elektrike deri në 200 kilovat dhe uji i përdorur nga familjet në nevojë do të financohet plotësisht nga buxheti i shtetit. E njëjta gjë për medikamentet, jo vetëm për familjet në nevojë por edhe ata me status invaliditeti. Por fillimisht shqiptarët duhet të refozjnë qeverisjen aktuale.
“Ta shporrim me votë këtë kastë oligarkike që e provoi, jo vetëm që s’mbante premtimet por kishte vetëm një qëllim, të pasuroheshe për vete e të kthejmë edhe një herë shanset për punësim, për mirëqenie, për prodhim në ekonominë shqiptare. Pra, në xhepat, në tavolinat dhe në familjet e Belshit, Dumresë dhe gjithë Shqipërisë”, deklaroi kreu i PD-së.
Në Dumre dhe Belsh Basha u njoh edhe me shqetësimet e banorëve për sjelljen e policisë dhe punonjësve të OSHEE-së që sipas tyre jo pak herë kërkojnë ryshfet nga qytetarët.