Adriatik Llalla nuk është pritur në SHBA. Kryeprokurori ndodhet për vizitë 5 ditore, por sipas TCH Llalla nuk ka patur takime me zyrtarë të lartë në Byronë Federale të Hetimit, FBI, etj.
Drejt Amerikës Llalla ka udhëtuar me kryeprokurorin e Tiranës Petrit Fusha, kryeprokurorin e Krimeve të Rënda të komanduar Besim Hajdarmataj dhe kryeprokurorin e Durrësit.
Takimet kanë nisur këtë të hënë ndërkohë që zyra e shtypit nuk ka bërë ende publike se cila është axhenda e takimeve që po zhvillon në SHBA delegacioni i prokurorëve, i kryesuar nga Llalla.
Sipas TCH, zyrtarë të SHBA kanë konfirmuar se, “procesi i refuzimit të vizave për zyrtarë të korruptuar është aplikuar jo vetëm ndaj gjykatësve, por edhe prokurorëve dhe vazhdon të aplikohet”.
Këto citime janë reagimi i parë amerikan që duket se nuk shmang përplasjen me kryeprokurorin Llalla. Jozyrtarisht, zyrtarët amerikanë kanë shprehur në më shumë se njëherë jodakortësinë me veprimet apo mosveprimet e Prokurorisë së Përgjithshme.