Lirohet nga burgu Domart Konjari, i dënuar me 10 vjet burg në Francë si kreu i një rrjeti të trafikut ndërkombëtar të kokainës.
Gjykata e Apelit për Krime të Rënda, vendosi të lirojë nga burgu, 42 vjeçarin Konjari, i arrestuar në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës në nëtorë të 2015 me pasaport të falsifikuar. Në momentin e arrestimit, Konjari i njohur ndryshe edhe si një nga pjesëtarët e ish-bandës” së Rrugës Bardhyl në Tiranë, ka tentuar të korruptojë punonjësin e policisë duke i ofruar 50 euro për mos ndalimin e tij.
Gjykata e Apelit për Krime të Rënda, i ndryshoi masën e sigurisë nga “arresti me burg” në “detyrim për paraqitjeje” edhe pse objekt gjykimit nuk ishte akuza për të cilën 42 vjeçarit Konjari i është caktuar masa e sigurisë nga Gjykata e Korçës.
Me arsyetimin e kalimit të afateve proceduriale, gjkykata i ka ndryshuar masën edhe pse prokuroria kërkoi caktimin e një mase tjetër sigurie për Konjarin, për veprën penale të “korrupsionit”. Akuzë kjo që për prokurorin, dyshohet se Konjari e ka konsumuar gjatë kohës së qëndrimit të tij në burgun e Drenovës, duke tentuar të korruptoi prokuror dhe gjyqtar të Korçës. Për këtë vepër, gjykata e Apelit për Krime të Rënda, jo vetëm që nuk i caktoi masë sigurie, siç kërkoi prokuroria, por i prishi edhe vendimin e Gjykatës së Korcës për akuzën e “falsifikimit dhe përdorimit të pasaportës”.
Nga ana tjetër, autoritet e drejtësisë franceze, pas arrestimit të Konjarit në nëntor të vitit të kaluar, kanë sjell në Shqipëri një material voluminoz me një sërë akuzash në ngarkim të 42 vjeçarit. ABC News ka mësuar se drejtësia franceze e ka dënuar me 10 vjet burg Konjarin si drejtues i rrjetit kriminal të trafikut të kokainës së bashku me 19 persona, mes tyre shqiptar, italian, francezë, holandez e spanjoll.
Në dosje, thuhet se Konjari krahas dënimit, dyshohet edhe për një sërë ngjarjesh të tjera kriminale, të ndodhura në Francë, Spanjë, Itali dhe Holandë, që kanë të bëjnë me trafikun në sasi të mëdha të kokainës. Ai dyshohet se përveç se siguronte mallin, rekrutonte shofer në moshë të vjetër me cilësinë e korrierit si dhe siguronte makinat të cilat i modifikonte më pas për kryerjen e transportit të kokainës.
Sipas mediave franceze, Domart Konjari dyshohet se bënte pjesë në krye të grupit të shqiptarëve në rrjetin e trafikut të kokainës, i përfshirë në rastin e sekuestrimit në ishujt Kanaries një anije me vela që vinte nga Venezuela e që brenda saj kishte 3.5 ton kokainë. /AbcNews