Shmangia e kaosit dhe e bllokimit të rrugëve ka bërë që Drejtoria e Policisë së Elbasanit të marrë masave gjatë festimit të Ditës së Verës
Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan ka bërë të ditura masat e marra për garantimin e rendit dhe qetësisë publike gjatë festimeve për Ditën e Verës.
– Të gjitha shërbimet në Drejtorinë e Policisë Elbasan, më datë 13.03.2016 do të kalojnë në shërbim të përforcuar për zhvillimin sa më normal të aktiviteteve festive;
– Për të përballuar me sukses festimin sa më normal të Ditës së Verës, në ndihmë të shërbimeve të Policisë Elbasan do të vihen në dispozicion edhe forca nga Policia e Tiranës;
– Do të merren të gjitha masat për parandalimin e ngjarjeve të mundshme kriminale gjatë zhvillimit të aktiviteteve;
– Nga policia rrugore do të kontrollohen të gjitha akset me qëllim për të bërë të mundur qarkullimin normal të mjeteve gjatë zhvillimit të aktiviteteve.
Në këtë plan masash do të angazhohen 306 forca policie nga Elbasani dhe Tirana.
Ndërkaq, nuk do të lejohet lëvizja apo parkimi i mjeteve në këto akse rrugore:
– Nga ora 08:00 deri në përfundim të aktivitetit të Karnavaleve do të bllokohet lëvizja nga stadiumi deri te “1 Maji”;
– Nga stadiumi deri te pallati i sportit nuk do të lejohen parkimet apo qëndrimet e mjeteve;
– Nga Kryqëzimi i Luleve deri në Unazën Jugore nuk do të lejohen parkimet e mjeteve.
Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan u bën thirrje qytetarëve të shmangin në maksimum lëvizjen me automjet brenda qytetit të Elbasanit, ç’ka do të sillte një ndihmesë të madhe në zhvillimin sa më normal të aktiviteteve festive.