Nga Ergisa Bejkollari
Unë jam një studente e fakultetit ekonomik, e sapodiplomuar. Gjatë këtyre 3 viteve fakultet nuk kopjova, nuk kisha mik sepse prindërit e mi nuk njohin askënd, dhe prandaj në vend të këtyre zgjodha të mësoja 14 orë në ditë, dhe të punoja. Mund të mos jem studentja më ekselente apo 22-vjeçarja më intelektuale, por jam një studente që notat e larta,punën në një institucion bankar dhe të gjitha gjërat e tjera në jetë i kam arritur vetë.
Jam e vetëdijshme që nuk bëhem dot drejtoreshë që nesër por ama, di që puna, notat dhe formimi im nuk varen nga një pushtet 4-vjeçar. Kur gjërat i arrin me forcat e tua, në fund të ditës gjëja më me vlerë që ke fituar është liria për të zgjedhur dhe për të mos lejuar askënd të vërë në diskutim meritën tënde. Unë i kam këto privilegje sepse i kam fituar vetë. Nuk më detyron dot askush të shkoj as majtas, as djathtas sepse i kam provuar vetes që do të eci shumë mirë, edhe nëse zgjedh të eci drejt.
Kur mua më propozuan në shtator të bëhem pjesë e aktiviteteve rinore të organizuara nga ministria, me kushtin që të bëhem pjesë e strukturave të partisë, unë thashe “jo”. “Jo” u thashë dhe të gjitha telefonatave bezdisëse që mora 5 muaj më vonë.”Jo” i thashë dhe asaj shfaqjes për fasadë të anëtarësimit të 300 studentëve ekselentë. Por pavarësisht “Josë” sime të madhe, një ditë më vjen një mesazh: “Paraqituni për të tërhequr kartën e anëtarësisë”. Pra pa vullnetin tim, falë këmbenguljes dhe ambicies për të shtuar anëtarë të të rinjve të partisë, unë tani jam një anëtare.
Forume rinore dhe struktura politike që angazhojnë të rinjtë ka kudo nëpër botë. Deri këtu nuk ka asgjë të keqe. Por ajo që po ndodh në Shqipëri është përdorimi i tyre si mjete për t’u katapultuar në pushtet dhe para, kaq shpejt, kaq thjesht. Ne po u mësojmë 22-vjeçarëve e më herët që nëse ti mbështet qorrazi një parti, pa ditur as ideologjinë e saj, mund të bëhesh specialist ose drejtor. E dini sa i rëndësishëm është vullneti, shpresa, ëndrra e një të riu sidomos në një vend të vogël si ky i yni? Është thelbësore. Po s’e bëmë ne ndryshimin, ne që shohim dokumentarë, bëjmë mastera jashtë shtetit, zhvillojmë kurse online, kush do ta bëjë?
Unë mund edhe të kisha zgjedhur ta shfrytëzoja këtë “kartë të bekuar”. Madje mund edhe të zgjedh të përfshihem në politikë në mënyrë aktive. Por nëse do ta bëj, do të jetë zgjedhja ime, me vetëdije të plotë. Nuk e bëj sepse mendoj që një 22-vjeçar nuk e ka formimin e nevojshëm për të dhëne diçka në politikë. Më tej, mendoj se një 22-vjeçar vetëm mund të marrë nga politika dhe të them të drejtën, atë që politikanët tanë ofrojnë nuk e dua edhe sikur të ma falin! Unë nuk zgjedh ta shfrytëzoj anëtarësimin sepse nuk dua që pas disa vitesh e gjithë sakrifica ime të zerohet me fjalinë: “Hë se atë e futi partia”. Dhe në fund, unë nuk e zgjedh sepse Kushtetuta e vendit tim demokratik më jep të gjithë të drejtën për të mos e bërë. Tani, në fund i drejtohem “kuadrove” përgjegjëse për anëtarësimet, të cilët shpresoj ta kenë marrë këtë rradhë përgjigjen: Jo, nuk e dua teserën tuaj të partisë! /Anabel/
*Ergisa është gazetare pranë revistës Anabel.al