Duket se ka përfunduar dashuria midis vëllait të madh dhe atij të vogël. Shqipëria dhe Kosova në futboll, përtej asaj që shikohet në dukje, janë bërë pjesë e një përplasje, e cila ndoshta kishte kohë që përflitej.
Shkak është bërë ftesa e Federatës Shqiptare të Futbollit, e cila pasi kryer seleksionimet e lojtarëve të talentuar sipas grupmoshave në Greqi, Zvicër-Gjermani dhe Itali, ka kërkuar që duke filluar nga nesër ky seleksionim të bëhet nesër edhe për fëmijët kosovarë
Sipas një plani të hartuar më parë, FSHF do të nisë në Qendrën e Ekipeve Kombëtare në Kamëz, vëzhgimin e kosovarëve të vegjël ku pjesë e grupit të seleksionerëve do të jenë të gjithë trajnerët e ekipeve përfaqësuese të moshave të cilët drejtohet nga trajneri i kombëtares Xhani De Biazi dhe ndihmësi i tij Paolo Tramexani.
Por kërcënimi i Federatës Kosovare të Futbollit ka qenë i hapur dhe i menjëhershëm.
“Nuk mund të organizohet asnjë kamp stërvitor pa lejen e FFKsë. Dhe është një vendim i prerë që të gjitha grupmoshat që do të shkojnë atje (Shqipëri) pa marrë leje, nuk do të kthehen më. Pra, do të fshihen dhe nuk do të ftohen me nga përfaqësuesja e Kosovës.
Jemi shumë rigorozë në këtë aspekt, nuk do të lëshojmë më pe”, ka deklaruar pak ditë më parë Ramiz Krasniqi, trajneri i përfaqësueses së Kosovës U19, për të përditshmen “Zëri”.
A do të vijnë të rinjtë kosovarë për t’u testuar në kampingun seleksionues, që do të nisë nga nesër FSHFja në Tiranë?
Edhe pse paralajmërimet janë bërë, duhet pritur. Ndoshta është ende shpejt për të thënë, se “lufta vëllavrasëse” Shqipëri-Kosovë ka nisur…