Policia e Fierit ka arrestuar mbrëmjen e sotme një prej autorëve të dyshuar të atentatit, ku humbi jetën një 44-vjeçar dhe u plagosën 2 shokët e tij.
Burime zyrtare bënë me dije se Ilir Memushaj është ndaluar me urdhër të prokurorit të çështjes. Sakaq, nga hetimet e deritanishme Memushaj dyshohet për vrasje të kryer në bashkëpunim.
Ngjarja e rëndë ku humbi jetën Denis Kasaj ndodhi dje rreth orës 18:30 në aksin aksin nacional Lushnjë Fier, pranë kthesës së “Mullirit të Artë”, tek kopshti zoologjik në Fier. Ndërkaq, nga breshëria e armëve mbetën të plagosur dhe miqtë e tij Elton Margariti, dhe Klement Kastrati u plagosën.
HETIMET
Një konflikt që lidhet me trafikun e drogës në shtetin holandez dyshohet të jetë bërë shkaku i pritës së djeshme të makinës ku udhëtonin 3 persona, në aksin nacional Lushnjë Fier, pranë kthesës së “Mullirit të Artë”. Denis (Granit) Kasaj, 44 vjeç, nga qyteti i Patosit, është ekzekutuar me kallashnikov, ndërsa dy shokë të tij janë plagosur rëndë mbrëmjen e djeshme, gjatë një atentati të mirorganizuar nga persona ende të paidentifikuar.
Makina me të cilën po udhëtonin viktima dhe dy të plagosurit është gjetur e shkrumbuar, ndërsa autorët dyshohet të jenë larguar me një autoveturë që është gjetur po e djegur në fshatin Vajkan. “Panorama” shkruan sot se deri tani policia ka hedhur dyshimet mbi aktivitetin e 42vjeçarit Margariti. Ky i fundit kishte vetëm dy ditë që ishte kthyer nga Holanda.
Nga burime të grupit hetimor dyshohet se ai kishte pasur konflikte në këtë shtet, për shkak të trafikimit të lëndëve narkotike. Nuk dihet lidhja mes Margaritit dhe Denis Kasajt, i cili ishte kthyer nga Italia për festat e fundvitit. Megjithëse mbeti viktimë, policia thotë se deri tani nuk ka të dhëna se Kasaj ka precedentë penalë të njohur.
Ndërkohë, edhe i treti person që ndodhej në makinë, Kelmend Kastrati, nga Fieri, kishte pasur më parë probleme, pasi në vitin 2008, ai plagosi dy vëllezër për shkak të një sherri për parkimin. Nga ana e policisë po hetohet me intensitet për këtë krim të radhës në vend, ku dyshimet janë sërish për eliminime për shkak të drogës. Në vend u gjetën dy armë kallashnikov, njëra prej të cilave mendohet se u përket autorëve të krimit./ BW