Duket e brishtë performanca seksuale e shqiptarëve. Në kësi rastesh është e vështirë të kesh të dhëna të sakta. Ndodh që femrat fshihen pas petkut “kam pasur vetëm një të dashur”, ndërsa meshkujt shtojnë listën edhe atëherë kur nuk e kanë kaluar kufirin e një përqafimi. Këto komplekse, në vendet e tjera janë tejkaluar me kohë.
Gjithsesi, për t’u hyrë analizave më të thella duhet padiskutim vlerësimi i seksologëve e psikologëve. Por ajo çka na dëshmojnë shifrat, duket se bie disi në kontradiktë me realitetin që shohim përditë. Statistikat tregojnë potenciale jo për t’u pasur zili, sa i përket aktivitetit seksual të shqiptarëve.
Studimi i fundit demografik shëndetësor ku janë anketuar më shumë se 10.000 meshkuj dhe femra shqiptare të moshës 15-49 vjeç ka një kapitull të veçantë për aktivitetin seksual. Në të jepen të dhënat për herën e fundit që kanë kryer marrëdhënie seksuale.
Rreth 25% e femrave dhe 24% e meshkujve pohojnë se nuk kanë bërë kurrë seks. Ndërkaq 6% e femrave dhe 4% e meshkujve thonë se nga hera e fundit që kanë kryer marrëdhënie ka kaluar më shumë se një vit. Po kështu 9% e femrave dhe 11% e meshkujve tregojnë se vitin e fundit kanë kryer marrëdhënie seksuale, por ka kaluar më shumë se një muaj deri në momentin që është bërë anketimi. Ndërkaq, 59% e femrave dhe 62% meshkujve pranojnë se kanë pasur aktivitet seksual muajin e fundit. Studimi bën një ndarje mes të martuarve dhe të pamartuarve, grupmoshave por edhe zonave ku jetojnë të anketuarit. Meshkujt dhe femrat që jetojnë në qytete kanë aktivitet më të shpeshtë seksual se ata që jetojnë në zonat rurale. Performancën më të lartë e kanë grupmoshat 35-39 vjeç dhe 45-49 vjeç. Sipas të dhënave, rreth 85% e tyre pranojnë se kanë kryer marrëdhënie në 4 javët e fundit. Studimi nuk jep të dhëna sa herë në javë bëjnë seks këta persona.
Seksi, “detyrë shtëpie”
Shumëkush mendon se më shumë seks bëjnë të rinjtë dhe beqarët. Por të paktën nga shifrat e studimit nuk qenka aspak kështu. Të martuarit kanë aktivitet seksual më të shpeshtë. Sigurisht në martesat e lumtura për efekt dashurie, ndërsa në ato që mbahen me paterica kthehet në zakon, apo “detyrë shtëpie”. Specialistët madje kanë bërë edhe një kategorizim sipas viteve të martesës. Kush ka pasur një martese që ka zgjatur 0-4 vjet raporton më pak aktivitet seksual se martesat e gjata. Nga të dhënat rezulton se 22% e femrave dhe 9.5% e meshkujve të përfshirë në martesa 4- vjeçare nuk kanë pasur fare marrëdhënie seksuale vitin e fundit. Përkundër kësaj, çiftet që kanë nga 10-14 vjet martuar raportojnë performancë të mirë. Plot 89% e femrave dhe 91.8% e meshkujve rezulton se kanë kryer marrëdhënie seksuale muajin e fundit. Edhe pse nuk kanë fort dëshirë të flasin çiftet e “vjetra”, që kanë më shumë se 20 vjet martuar pranojnë se bëjnë seks, jo më pak se të rinjtë. Sakaq, megjithëse nuk ka ndonjë hendek të madh, vihet re se personat që kanë nivel edukimi më të lartë, kanë një performancë më të mirë seksuale se ata më pak të arsimuar.
Një në dhjetë meshkuj impotent
Një në dhjetë meshkuj shqiptarë vuan nga impotenca. Janë mjekët urulogë që kanë publikuar disa muaj më parë të dhënat. Të ndodhur përballë kësaj situate, mjekët u bëjnë apel meshkujve t’i drejtohen andrologut që në shenjat e para, pasi ekzistojnë medikamente që përmirësojnë gjendjen shëndetësore, duke ndikuar kështu edhe zgjidhjen e një sërë problemesh në çift, që vijnë si pasojë e impotencës. Problemet impotencës mund të shfaqen që herët të ndikuara nga një sërë faktorësh, si të brendshëm dhe të jashtëm, si stresi, konsumi i alkoolit dhe i duhanit, ashtu edhe probleme të tjera shëndetësore që lidhen me to. Sipas tyre, mund të ketë edhe probleme të tjera, siç është hipertensioni, apo diabeti të cilat ndikojnë jo pak./ Ekpress