TIRANE- Ish-zëvendësdrejtoresha e Përgjithshme e Doganave Lula Njebza, urdhëronte vartësit me telefon për të kryer veprime në favor të kompanisë “Tea Construction & Petrol” me administrator të shpallurin në kërkim Adrian Xhillari.
ABC News ka mësuar se Prokuroria e Fierit, ka arritur të zbardhë tabulatet telefonike mes biznesmenit Adrian Xhillari dhe zëvendësdrejtoreshës së doganave, Lula Njebza.
Sipas akuzës, gjatë marrjes në pyetje kjo e fundit ka mohuar njohjen me biznesmenin Xhillari, por nga zbardhja e tabulateve telefonike rezultojnë se ato jo vetëm që njiheshin por kanë komunikuar vazhdimisht. Sidomos gjatë periudhës kur edhe mendohet se kompania “Tea Construction & Petrol” ka boshatisur depozitat me rreth 4.4 mln litër mbetje nafte të njohur me emrin “Virxhinë”.
Në dosjen e prokurorisë, thuhet se kompania e Xhillarit ka blerë nga rafineria e Fierit naftë “Virxhinë” për eksport të cilën fillimisht e ka depozituar në depozitat e marra me qera në Mëzez të Tiranës. Më pas, gjatë periudhës 15 deri 21 gusht të 2014 me leje të zëvendësdrejtoreshës Njobza ka përpiluar raportet e dërgimit të sasisë prej 4.4 mln litër naftë “Virxhine” drejt rafinerisë së Ballshit. Po me 21 gusht doganieri tashmë i arrestuar, ka përpiluar një procesverbal fiktive duke shënuar se ka dyllosur depozitat me naftë Virxhinë të një sasie prej 4.4. mln litër. Ndërkohë, në qershor të 2015 është ushtruar kontroll në këto depozita nga inspektorët doganor, ku ka rezultuar se të gjitha depozitat ku mendohet se mbaheshin 4.4 mln litër naftë “virxhinë” janë bosh. Kjo ka bërë që prokuroria të dyshoj se ata janë shpërndarë dhe shitur nëpër pika karburanti në gjithë Shqipërin nga kompania e Xhillarit. Duke iu shmangur kështu detyrimeve tatimore me vlerë rreth 250 mln lekë të reja.
Prokurorët thonë se është provuar që zëvendësdrejtoresha ka urdhëruar vartësit të përpilojnë letra të lëvizjes së naftës “Virxhin” pa respektuar procedurat ligjore dhe doganore. Ku nuk është paguar garancia bankare për lëvizjen e tyre, nuk ka njoftuar antikontrabandën për të kontrolluar dhe verifikuar lëvizjet e boteve me naftë “Virxhinë”, ka urdhëruar me shkresë vartësin, drejtorin e doganës Tiranë të lejoj kompanin të bëj transportin e naftës vrixhin pa respektuar detyrimet doganore e shumë shkelje të tjera.
Sipas prokurorisë, krahas hetimit penal për të arrestuarit dhe të shpallurit në kërkim të kësaj dosje ka nisur edhe hetimi pasuror. Hetuesit thonë se është kërkuar nga QKR-ja, Hipotekat dhe bankat e nivelit të dytë për të evidentuar të gjithë kompanit, pronat, pasurit dhe llogart bankare të biznesmenit të shpallur në kërkim Adrian Xhillari. Në momentin e konstatimit të këtyre pronave, burimet thanë se do të vendoset sekuestrimi i tyre pasi dëmi që i është shkaktuar shtetit kap një shifër rreth 250 mln lekë të reja.
Për llogari të kësaj dosje janë arrestuar 7 zyrtarë të doganave, përfshirë ish-zëvendësdrejtoreshën e Përgjithshme të Doganave, ish-Drejtorin e Doganës së Tiranës, ish-shefin e Akcizës në dogana si dhe doganierë që kanë përpiluar dokumente të rreme.