TIRANË- “8 Dhjetori është dita për të bërë sërish histori, është dita për largimin e qeverisë katastrofë Rama-Meta”. Kështu është shprehur Lulzim Basha i cili mori pjesë këtë të diel në Konventën e Forumit Rinor të Partisë Demokratike.
Kryedemokrati Basha u ka bërë thirrje shqiptarëve që të dalin të gjithë në marshimin dhe protestën kundër qeverisë më 8 Dhjetor, ditën në nderim të të rinjve që ndryshuan historinë.
Sipas tij, 8 dhjetori 2015 do të jetë dita e zbritjes masive popullore në sheshin Skënderbej dhe marshimin në bulevardin Dëshmorët e Kombit.
“Kemi marrë vendim të nisemi e mos ndalemi, të nisemi me rininë e Tiranës, rininë e të gjithë Shqipërisë, bashkë me qindra e mijëra qytetarë nga e gjithë Shqipëria, të martën në 8 dhjetor. Asnjë kategori e vetme shoqërore, asnjë grup interesi nuk ka parë një ditë të mirë në këto dy vjet qeverisje. Të gjithë të gënjyer, të mashtruar, të cënuar, të lënduar, të gjithë të goditur nëpërkëmbur nga qeveria e zullumeve”, tha Basha.