Landi Hysi ish-solisti i grupit West Side Family, ka qenë një nga njerëzit më të afërt të Dr. Florit dhe herë pas here e kujton mikun e tij me anë të postimeve në rrjetet sociale.
Dedikimi i fundit për mikun e tij, i ka përlotur ndjekësit dhe fansat e tij.
Ja çfarë shkruan ai:
“Me sa kam parë mund të them se: Ishe kritik shumë objektiv. Të tillë kam hasur pak. Fare fare pak. Ndoshta gishtat e njërës dorë mjaftojnë për t’i numëruar ata si ti e tani këta kritikë janë edhe më pak. I drejtpërdrejtë dhe i vërtetë me këdo e kudo dhe nuk hezitoje t’jua përplasje në fytyrë të vërtetën. Atyre mund t’u dridhej toka nën këmbë, por siç do thonim ne të tre duke qeshur: – Ça t’thot vllai jot? S’tnimoj dot!”
“I thjeshtë e pa shumë xhingla-mingla në lidhje me veshjen, por nga brenda veshur shumë më bukur se shumë palaço cirku që mbahen me të madh, përpiqen të vishen e të flasin bukur, me edhe pa kollare, me edhe pa pushtet. Të mbaj mend kur dukeshe i përhumbur sepse rrije pa folur duke krruar mjekrën, por ti ishe shumë i qartë në lidhje me faktin se si do të ishte finalja e punëve që bëje. Dhe shumë…Do jepje edhe më shumë.”
“I përqëndruar tek vlerat dhe armik me antivlerat. I qeshur me të gjitha moshat e tipet e njerëzisë aq sa dukej sikur njiheshe me të gjithë prej një jete dhe me këdo e kishe gati përgjigjen e duhur. Shumë e vështirë të ishe ti, por kjo nuk u vu re. Nuk e kuptuam… Kjo nuk është gjithçka mund të them per ty Flor…”