35-vjeçari Refit (Nertil) Buzi, i dyshuar për ngjarjen e rëndë në Roskovec,ka vrarë veten me armë zjarri pas disa orësh negociata me forcat e policisë.
Ai ishte i rrethuar nga forcat speciale RENEA në zonën e ish-fushës së helikopterëve në fshatin Kurjan, ku qëndroi i ngujuar në automjetin e tij, ndërsa negociatorët tentuan disa herë ta bindnin të dorëzohej.
Më herët, 35-vjeçari dyshohet se vrau me armë gjahu ish-vjehrrin e tij, Kosta Plakun, plagosi ish-vjehrrën, Bejlere Plakun, dhe mori me forcë ish-të dashurën, Rozalinda Plakun. E reja u lirua disa orë më vonë gjatë operacionit të policisë.
Autoambulanca dhe forca të shumta policie janë afruar pranë automjetit ku ndodhet prej disa orësh 35-vjeçari.
Njoftimi i Policisë së Shtetit
“Në vijim të informacionit paraprak për ngjarjen e rëndë kriminale të ndodhur në fshatin Vidhisht, Roskovec, ku shtetasi R. B., 35 vjeç, vrau me armë gjahu babanë e ish-të dashurës së tij, plagosi nënën e saj dhe mori peng ish-të dashurën, shtetasen R.P, ju informojmë se:
Pas lirimit të saj falë veprimeve profesionale të Policisë, ekipi negociator i RENEA-s, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, nën drejtimin e Prokurorit, vijoi negociatat me 35-vjeçarin, me qëllim bindjen e tij për t’u dorëzuar dhe për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.
Pavarësisht negociatave intensive, të zhvilluara që prej orëve të para të mëngjesit, 35-vjeçari nuk iu bind thirrjeve të Policisë për t’u dorëzuar dhe, rreth orës 16:35, dyshohet se është vetëvrarë me armën e gjahut që mbante me vete, brenda automjetit.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorit, vijon veprimet për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të kësaj ngjarjeje të rëndë kriminale”












