Këtë të enjte ka nisur seanca e fundit plenare në Kuvend për këtë sesion parlamentar, ndërkohë që qytetarët janë vendosur në hyrje të tij për për të protesuar.
Incidente janë shënuar dhe 5 persona janë shoqëruar nga policia, ndërkohë që një tjetër persona është shoqëruar në spital pasi ka humbur ndjenjat gjatë protestës.
Për të garantuar mbarëvajtjen e protestës, Policia e Shtetit kishte shtuar masat e sigurisë duke angazhuar rreth 500 punonjës policie në terren. Organet e rendit zgjeruan gjithashtu perimetrin e sigurisë, nga zona e “Toptanit” deri te rruga e Elbasanit.
Gjithashtu, rreth godinës së Kuvendit u vendos edhe gardhi metalik për të parandaluar çdo incident të mundshëm gjatë zhvillimit të tubimit.
Kuvendi ka nisur me vonesë, ndryshe nga ora zyrtare. Rendi i ditës pritet të jetë i ngjeshur ndërsa pritet të raportohen në Kuvend raportet vjetore të institucioneve të drejtësisë, përfshirë Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Prokurorinë e Përgjithshme, Kontrollin e Lartë të Shtetit dhe Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Në seancë pritet të shqyrtojnë projektrezolutat për vlerësimin e veprimtarisë së këtyre institucioneve gjatë vitit 2025. Gjithashtu pritet të zhvillohen interpelanca dhe seanca pyetje-përgjigje me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, të kërkuara nga deputetët e opozitës.













