Kupa e Botës 2026 pritet të vendosë një tjetër rekord, këtë herë sa i përket pagesave për gjyqtarët e turneut. Sipas raportimeve nga mediat britanike, arbitrat kryesorë mund të arkëtojnë deri në 100 mijë dollarë secili, një shifër e padëgjuar ndonjëherë në një Botëror.
Siç raportohet, përveç pagesës bazë, FIFA do të shpërblejë me bonuse shtesë arbitrat që do të angazhohen në ndeshjet e fazave më të rëndësishme të turneut, duke rritur ndjeshëm përfitimet e tyre financiare.
Edicioni i vitit 2026 do të jetë më i madhi në historinë e Botërorit, pasi do të marrë pjesë një numër rekord prej 48 kombëtaresh dhe do të zhvillohen 104 ndeshje. Për këtë arsye, FIFA ka zgjeruar edhe stafin e arbitrimit, duke përzgjedhur 52 gjyqtarë kryesorë, 88 arbitra anësorë dhe 30 zyrtarë të VAR-it nga vende të ndryshme të botës.
Ndër emrat më të njohur janë arbitrat anglezë Michael Oliver dhe Anthony Taylor, të cilët kanë eksperiencë të gjatë në ndeshjet më të rëndësishme europiane.
Një tjetër risi e këtij Botërori do të jetë edhe përdorimi më shumë i VAR, pasi FIFA synon t’i japë rol kryesor teknologjisë duke i dhënë sistemit më shumë rol në vendimmarrjet e diskutueshme gjatë ndeshjeve. Çdo mbulim goje nga lojtari kur i flet kundërshtarit, ofendim apo vonesë loje mund të ndëshkohet.
















