Mijëra qytetarë protestojnë për të pestën ditë radhazi para kryeministrisë kundër projektit të Zvërnecit dhe për kauza të tjera.
Për herë të parë sot, një nga protestuesit ka bërë publik 5 kërkesa të protestuesve, i cili foli në emër të të gjithë protestuesve.
“Pas 5 ditësh protestash të pandërprera në Tiranë dhe duke parë vendosshmërinë e Sovranit për të përmbushur kërkesat tona, ju njoftojmë se kjo nismë mbështetet nga një grup me integritet. Gra dhe burra dinjitozë, të vendosur për të çuar deri në fund kërkesat e sovranit, do të dimë të marrim në kohë të duhur vendimet e duhura. Kjo nismë lindi si përgjigje ndaj një rreziku të madh ku ndodhet vendi ynë. Deklaroj se protesta është organizuar dhe udhëhiqet nga qytetarë të lirë, të bashkuar rreth një kauzë ta drejtë kombëtare për të ardhmen e Shqipërisë. Paraqesim kërkesat që burojnë nga vullneti i lirë i mijëra qytetarëve që janë bashkuar në mbrojtje të lirisë dhe interesit kombëtar. Kërkesa të qarta dhe të panegociueshme:
* Dorëheqjen e qeverisë;
* Shfuqizimin e statusit dhe të kuadrit ligjor që lidhet me investitorët strategjikë;
* Shfuqizimin e Paketës së Maleve;
* Anulimin e ndryshimeve në Ligjin për Zonat e Mbrojtura;
* Anulimin e ndryshimeve në Ligjin për Trashëgiminë Kulturore”, u shpreh një nga protestuesit në podium përpara Kryeministrisë.
















