Gardhi me tela me gjemba që rrethoi kantierin ku pritet të ndërtohet resorti luksoz në Zvërnec, është hequr. Ishte ai rrethim që solli përplasjet e ashpra në Zvërnec të qytetarëve me rojet private të kantierit më 30 maj.
Protestat u ndezën për të kundërshtuar ndërtimin e një resorti luksoz nga dy investitorë nga Katari me vlerë që pritet të shkojë deri në 4 miliardë dollarë. Harta e protestave është zgjeruar deri në kryeqytet, ndërsa në koordinim me Tiranën, pritet të zhvillohet paralelisht një tjetër në Vlorë.
Pas hedhjes së gurëve, tërheqjeve zvarrë të protestuesve nga rojet private e përdorimit nga ana e tyre të sprayt me piper, sot situata në kantier duket e qetë. Makineritë e punës janë larguar e i vetmi element sigurie që ka mbetur në zonë është një kabinë pa roje brenda dhe një rrethim i thjeshtë në plazhin e Porto Novës.
Kryeministri Edi Rama ka thënë se kompania ndërtuese ‘Zvërnec south Adriatic Development’ është gjobitur për shkak të përdorimit të telave me gjemba si rrethim. Përplasjet e 30 majit, kanë çuar në arrestimin e 3 rojeve private të ‘Major Security’, pezullimin e licencës për këtë kompani dhe ‘Myrto Security’ si dhe pezullimin nga detyra të Drejtorit të Komisariatit të Vlorës.















