“Në agjendën e punimeve të asamblesë së përgjithshme të CDI, një vend qendror zinte Shqipëria, narkodiktatura e Edi Ramës”. Kështu u shpreh Sali Berisha pas kthimit nga Brazili, ku edhe mori detyrën e rëndësishme atë të Zv.Presidentit të CDI, Unionit më të madh të partive të qendrës së djathtë.
Në fjalën e tij gjatë foltores së opozitës para kyreministrisë, Berisha theksoi se presidenti i CDI, sekretari i përgjithshëm i kësaj organizate, sekretarja e përgjithshme e PPE dhe një seri oratorësh të tjerë denoncuan narkodiktaturën e Edi Ramës
“Droga e Edi Ramës ka marrë dhenë. Edi Rama krahasohet sot me narkodiktatorët më të urryer të planetit”, tha Berisha.
Sipas kreut demokrat këto janë mesazhe inkurajuese për të vijuar betejën për rrëzimin e qeverisë, teksa u bëri thirrje të rinjve për të shpëtuar vendin.
“Miqtë e mi, këto mesazhe janë një thirrje, janë një inkurajim i madh për ne të vazhdojmë këtë betejë me të gjithë guximin tonë, me të gjithë fuqitë tona. Sonte para nesh folën disa të rinj dhe unë i përgëzoj për fjalën e shkëlqyer që mbajtën. Kristi kishte ditëlindjen dhe atij ia uroj 120 vite të lumtura. Por atyre, dhe çdo të riu shqiptar, u rikujtoj se historia, se koha, thërret secilin prej tyre të jetë në këmbë për të shpëtuar vendin nga kjo katastrofë e vërtetë në të cilën rrokulliset”.

















