Irani thotë se, pas luftës, asgjë nuk do të jetë më si më parë. Dhe ka të drejtë. Jo vetëm sepse pasdaranët e kanë shndërruar Hormuzin në një çështje të tyren. Këtë e dëshmon edhe ajo që po ndodh në marrëdhëniet jo të lehta mes dy aleatëve historikë, Shteteve të Bashkuara dhe Arabisë Saudite. Përplasjet konfirmohen nga rindërtimet e mediave amerikane, fillimisht me një zbulim të Wall Street Journal dhe më pas me pasqyrimin e New York Times.
Kur Teherani vendosi të mbyllte Ngushticën, Donald Trump urdhëroi Project Freedom, operacionin për rihapjen e kalimit. Por e bëri këtë pa u konsultuar me Riadin dhe kështu lindi një përplasje. Sauditët kundërshtuan përdorimin e bazave të tyre, Pentagoni u detyrua të ndalonte përkohësisht operacionin, ndërsa Shtëpia e Bardhë kërcënoi se do të bllokonte furnizimet me municione kundërraketore, të domosdoshme për të përballuar sulmet me raketa iraniane.
Mes dy kryeqyteteve nisi një shkëmbim intensiv telefonatash. Nga njëra anë ishte Mohammed bin Salman, princi që drejton mbretërinë, ndërsa nga ana tjetër një sërë bashkëbiseduesish të rëndësishëm. Fillimisht Trump, më pas Vance, më tej i dërguari Steve Witkoff dhe dhëndri i presidentit, Jared Kushner, në rolin e dyfishtë si ndërmjetës, por edhe si partner biznesi i familjes mbretërore saudite. Toni i bisedimeve nuk ishte aspak i qetë.
Bin Salman shprehu hapur kundërshtimin e tij, mungoi në samitin e G7 në Evian sepse – siç u komunikua – kishte angazhime të tjera (ndërkohë që aty ishin të pranishëm përfaqësuesit e Katarit dhe Emirateve), dhe vazhdoi të mbështeste një linjë në favor të negociatave me ajatollahët. Artikujt theksojnë se The Donald nuk e priti mirë këtë sfidë dhe pikërisht gjatë samitit në Francë deklaroi në një fjalim se SHBA-të mund të përdornin çdo instalim ushtarak.
Në fund të fundit, presidenti ka alternuar edhe më parë lavdërime pa kufi ndaj Mohammedit me sulme të ashpra sa herë që princi nuk është treguar në një linjë me të. Në mes të kësaj mbetet biznesi i familjes Trump, me një sërë projektesh që do të realizohen në Arabinë Saudite. Shumë shkëlqim, shumë “ar” dhe shumë miliona./Corriere della Sera
















