Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka bërë të ditur se Evropa duhet të marrë pjesë në procesin e paqes midis vendit të tij dhe Rusisë.
Këtë reagim Zelenskyy e bëri të ditur pas një telefonate me kancelarin gjerman Friedrich Merz. “Ukraina është pjesë e Europës dhe si e tillë ka një rol”, tha ai.
“Fola me Friedrich Merz. Ukraina dhe Gjermania ndajnë pikëpamjen se lufta duhet të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur me një paqe dinjitoze, dhe parametrat e përfundimit të kësaj lufte do të formësojnë peizazhin e sigurisë së Evropës për dekadat e ardhshme.
Lufta po ndodh në Evropë, dhe Ukraina është një pjesë integrale e Evropës – ne jemi tashmë në negociata për pranimin në BE. Prandaj, Evropa duhet të jetë pjesëmarrëse në proceset përkatëse. Ne koordinuam qëndrimet tona me Gjermaninë.
Unë dhe Friedrich ramë dakord të flasim përsëri. Sot, këshilltarët e sigurisë do të mbajnë një takim online për të përafruar pikëpamjet tona të përbashkëta – Ukraina dhe e gjithë Evropa, Shtetet e Bashkuara.
Dje u diskutuan gjithashtu formate të ndryshme të mundshme për takime në nivel udhëheqësish për të sjellë paqe – dy dypalëshe dhe një trepalësh. Ukraina nuk ka frikë nga takimet dhe pret të njëjtën qasje të guximshme nga pala ruse. Është koha që t’i japim fund luftës. Faleminderit të gjithëve që po ndihmojnë.”