Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj një rasti në Tiranë, ku disa persona shfaqen duke lyer me bojë një varkë të vendosur në një hapësirë publike.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Rama paralajmëroi një paketë të re ligjore që do të synojë ndëshkimin penal të individëve që abuzojnë me hapësirat publike për përfitime personale apo ndërtime të paligjshme.
“Kjo nuk mund të jetë kurrësesi një skenë e zakonshme nga jeta e një lagjeje në qytetet e Shqipërisë 2030 në BE, e jo më një skenë e përditshme as 1 kilometër nga bulevardi i Tiranës. Dhe këtu nuk është çështja të shkojë ky e të shkojë ai për t’i larguar këta dhunues të jetës komunitare duke i gjobitur.
Këtu duhet vënë njëherë e mirë me ligj e me zakon dhe kushdo që e dhunon hapësirën e përbashkët publike me një akt zaptimi, duke bllokuar, ndërtuar, ndotur apo bërë biznes në kurriz të komunitetit, duhet të ndëshkohet penalisht. Shumë shpejt do të kemi një pako speciale ligjore për këtë soj dhunuesish”, ka shkruar Rama.

















