Me fokus fuqizimin e pushtetit vendor dhe mbikëqyrjen e territorit përmes teknologjisë, kryeministri po mban një takim me kryebashkiakët në qytetin e Durrësit.
Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se qeveria është në një fazë të avancuar për vendosjen e një sistemi të monitorimit të ndërtimit në territor, njësoj si ai i monitorimit të trafikut, duke përdorur teknologji të avancuar si dronë dhe satelitë, në bashkëpunim me Emiratet e Bashkuara.
“Po ndërtojmë një sistem të kontrollit teknologjik mbi territorin, për të garantuar që ndërtimet të jenë të monitoruara në kohë reale, njësoj siç ka nisur puna për trafikun. Tani duam të bëjmë të njëjtën gjë me ndërtimet, me qendra të dedikuara monitorimi,” pohoi Rama.
Kryeministri bëri të ditur se Agjencia e Zhvillimit të Territorit ka hartuar një rregullore të re që detyron kompanitë ndërtuese të pajisin kantierët e tyre me kamera online 24 orë në ditë dhe me sisteme GPS, për të ndjekur në kohë reale lëvizjet e mjeteve, materialeve ndërtimore dhe menaxhimin e mbetjeve.
“Çdo ndërtim me qëllim fitimi duhet të jetë i monitoruar. Kjo është në funksion të transparencës dhe ndalimit të evazionit,” tha Rama, duke shtuar se teknologjia do të ndihmojë edhe në ndalimin e ndërtimeve pa leje.
Rama u shpreh se do të bëhen ndryshime në legjislacion për të forcuar rolin e arkitektit, duke theksuar se do të përballen edhe me pasoja penale.
Gjithashtu shtoi se leje përdorimi dhe shfrytëzimi të godinave pa leje përfundimtare të arkitektit nuk mund të jepen më.
“Në legjislacion do të forcohet ende më shumë roli i arkitektit dhe përgjegjësia e arkitektit. Arkitekt që bashkëpunon me ndërtuesit për të shkelur lejet e ndërtimit nuk mund ta gëzojnë me licencën dhe duhet të përballen me pasoja të natyrës penale. Leje përdorimi dhe shfrytëzimi të godinave pa leje përfundimtare të arkitektit nuk mund të jepen më. Të mos ketë lidhje të ujit dhe dritave për asnjë ndërtim që nuk disponon lejen e ndërtimit”, shtoi Rama.
Pjesë nga fjala e Ramës
Nuk mund të mbetemi vetëm te sytë e njerëzve në territor, po i bëjmë gjërat bashkë për të pasur një kontroll teknologjik në territor. Siç ka nisur punën qendra e kontrollit të trafikut dhe do bëhet teknologjike me projektin e ri me EBA. Inspektimi i territorit për ndërtimet duhet të mbështetët nga një fuqi teknologjike, nga satelitët, dronët.
Do ndërtojmë qendrën e monitorimit të ndërtimeve. AZHT ka përgatitur një rregullore për kompanitë dhe të gjitha kompanitë e ndërtimit do të detyrohen se të gjitha pallatet të mos kalojnë lejet dhe kantieret të pajisen me kamera 24 orë dhe të ndiqen nga forcat e inspektimit. Të gjitha kantieret do të pajisen me GPS që të monitorohet dhe ku ata hedhin mbetjet.