Task-Forca Ndërinstitucionale pranë Prefekturës së Durrësit ka nisur një aksion në vijën bregdetare të Durrësit sot.
Sipas tvklan, në fokus të kontrolleve të tyre janë siguria dhe respektimi i masave të vendosura gjatë sezonit turistik.
Task-Forca Ndërinstitucionale asiston Komitetin për Menaxhimin e Sezonit Turistik dhe është përgjegjëse për ndjekjen dhe zbatimin në afat të masave përgatitore të përcaktuara në planin e masave për këtë vit.
Ajo u ngrit me qëllimin e mbarëvajtjes së sezonit turistik duke menaxhuar fluksin e lartë të turistëve dhe shërbimet në këtë periudhë.
Kujtojmë se në Durrës rreth dy javë më parë humbi jetën një turist nga Anglia në një aksident me Jet Ski.
Ndërkohë gjatë kësaj jave në Shkëmbin e Kavajës u plagos një turist belg, i cili kreu manovra të rrezikshme me Jet Ski në det.
Për këto raste ka patur edhe të arrestuar.
Kontrolle të rrepta për zbatimin e rregullave ka paralajmëruar edhe ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro.
Ajo kërkoi nga policia që të ndëshkojë këdo që i shkel ato.