Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali ka zhvilluar një takim me Grupin e Deputetëve “Miqtë e fëmijëve”.
Teksa e nisi fjalën e saj me vdekjen e 14-vjeçarit Martin Cani, Spiropali ka shprehur gatishmëri për propozime dhe ndryshime në kuadrin ligjor për mbrojtjen e fëmijëve.
Ajo tha se nuk mund t’i edukojnë fëmijët vetëm me fjalë dhe këshilla, por me modelet që u ofrojmë atyre.
“Para se të fillojmë me rendin e ditës besoj se flas edhe për ju kur them se jemi të gjithë të tronditur nga ngjarja e rëndë ku një 14 vjeçar humbi jetën nga një krim i moshatarit të tij.
Siç e nënvizova edhe dje në seancën plenare është detyra jonë të reagojmë dhe të bëjmë rregullime dhe ligje më të forta kundër dhunës, gjuhës së urrejtjes, denigrimit dhe abuzimit në rrjete sociale, por edhe për më shumë përkushtim e përgjegjshmëri në zbatimin e ligjeve, sigurinë, cilësinë e arsmit dhe edukimit, për modelet qē iu ofrohen fëmijëve në media dhe në shoqërore.
Çdo fëmijë lind në këtë botë me dritë, me dëshirë për jetën, me një ndjenjë pafajësie, me mundësi e potenciale zhvillimi të personalitetit.
Mund ta imagjinojmë dhimbjen që ndjen një fëmijë kur mizoritë e jetës riformësojnë pritshmëritë e tij, të prindërve e familjes, për shkak të pamundësive, apo pakujdesive të institucioneve, komuniteteve, prindërve apo shoqërisë.
Është detyra e të gjithëve ne që të “filtrojmë” mesazhet, kuptimet, përjetimet dhe këshillat për fëmijët në të gjitha mikromjediset shoqërore, për ta bërë jetën e tyre më të bukur dhe për të marrë masat për të ngritur ato që mund t’i quajmë “diga mbrojtëse” ndaj të keqes, abuzimeve dhe dhunës që mund të vijnë nga drejtime të ndryshme.
Ne nuk mund të kujdesemi, rrisim e edukojmë fëmijët thjesht me fjalët a këshillat tona të mërzitshme, por me modelet që u ofrojmë atyre.
Në këtë stad të zhvillimit të shoqërisë është detyra jonë prioritare të rrisim një brez të shëndetshëm fizikisht, shpirtërisht dhe moralisht. Sepse e presionet që vijnë nga mjedise të ndyshme shoqërore, nga patologjitë dhe defektet e shoqërisë mund të shkaktojnë thyerje të mëdha te fëmijët.
T’i mbrojmë fëmijët nga format e ndryshme të dhunës dhe abuzimit, offline dhe online, nga format e këqia të punës së fëmijëve, nga dhuna e dukshme dhe e prekshme fizike, por edhe nga rreziqet që vijnë nëpërmjet shkëlqimit dhe joshjes sic ishte më parë televizioni dhe tani xhungla e pakrasitur e rrjeteve sociale”, tha Spiropali.