Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në New York, ku po zhvillon një takim me shqiptarët e SHBA-së. Ndër të tjera, kreu i qeverisë u ndal te ndryshimi që ka pësuar vendi që nga periudha e marrjes së pushtetit nga Partia Socialiste deri më sot.
Pjesë nga fjala e Edi Ramës:
Ky është thelbi i misionit tim në krye të qeverisë shqiptare, është krye angazhimi i PS, dhe ky është zotimi ynë I të tre mandateve dhe vetë kuptimi i mandatit tonë të 4 për Shqipërinë. Rruga e Shqipërisë, gjatë periudhës që unë kam patur privilegjin të udhëheq këtë përpjekje drejt bashkimit me BE, i ngjan rrugës së çdo emigrant shqiptar në përpjekjen e tij për tu pranuar me sukses në Europë dhe Amerikë.
Kur unë mora detyrën Shqipëria shihej me plot dyshime, ndërkohë që qeveria shqiptare nuk gëzonte respekt, kryeministri ishte i izoluar prej vitesh. Rruga europiane ishte e bllokuar. Vendi ishte në telashe ekonomike, qeveria në borxhe ndaj kompanive të ndërtimit të rrugëve që kishin mbetur rrugëve 40 mln usd, ishte borxhi i qeverisë prej detyrimeve të papaguara, rreziku I kolapsit energjitik më i madh se kurrë borxhi për energjinë ishte 1.3 miliardë dollarë, spitalet ishin pa ilaçe dhe familjarët i shtronin të afërmit me çarçafë e batanije që i merrnin nga shtëpia.
Shqipëria kishte nivelin më të lartë të infeksioneve spitalore, mjetet e policisë fikeshin në rrugë, kishe një vrasje në çdo tre ditë, korrupsioni në çdo kontakt të qytetarit me shtetin, për çdo cope letër nga shteti duhet të rrije në radhë. Turizmi mbahej gjallë nga malli emigrantëve. Qytetet ishin të mbuluara nga pluhur, rrënimi ishte emërues kryesor.
Tiranës i kishte ndalur njësoj si sahati edhe koha e zhvillimit. Më shumë se gjysma e tokave të bukës, nuk punoheshin më se nuk kishin ujë. Për agroturizëm nuk bëhej fjalë, paga minimale ishte 150 euro. PBB 12 miliardë euro. Shqipëria një vend me litarin në fyt, drejtësia një pazar i madh, ku pandëshkueshmëria ishte fjala sinonim në çdo raport. Sot realiteti i zymtë është përmbysur në çdo sektor, frynë era e shtetit falë bashkëpunimit me aleatët strategjikë BE dhe SHBA në vetëm një dekadë, ne dyfishuam PBB. Trefishuam pagën minimale, dhe atë mesatare në sektorin publik.