Ambasadori i BE, Silvio Gonzato ka reaguar lidhur me bojkotin që institucionet e drejtësisë i kanë bërë komisionit “Xhafaj”.
Nga Elbasani, Gonzato tha se ata gjykuan se kontributi i tyre në punën e komisionit duhet të trajtohej ndryshe, por media nuk e interpretoi drejtë lajmin.
Ai bëri apel që pavarësia e institucioneve të drejtësisë të respektohet.
“Nuk mendoj që ata ishin kundër komisionit. Ata gjykuan se kontributi i tyre në punën e komisionit duhet të trajtohej ndryshe. Unë mendoj që media nuk e interpretoi drejtë mënyrën dhe mendimet e përfaqësuesve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gjyqësorit dhe SPAK.
Ajo që është e qartë është fakti që ne duhet të respektojmë pavarësinë e institucioneve të drejtësisë. Kjo do të thotë që do të nevojitet kontributi i tyre, por do të duhet të konsolidohet Reforma e Drejtësisë e vitit 2016.
Kjo na bëri në që të ndihmonim me ekspertizën tonë për komisionin në mënyrë që të përshpejtohen të gjitha përpjekjet që kanë të bëjnë me parandalimin e korrupsionin, mirëqeverisjen dhe konsolidimin e Reformës në Drejtësi”, u shpreh ai.