Kryetarja e parlamentit Elisa Spiropali ka zhvilluar ditën e sotme takimin “Shtegëtarë të Shpresës, ndërtues të Paqes”, organizuar në Kuvend, me vajza e djem nga vendet e Mesdheut dhe Detit të Zi.
Përmes një postimi në rrjete sociale ajo shkruan se në këtë takim, së bashku me Imzot Arjan Dodajn Arqipeshkev Metropolitan i Tiranë- Durrës dhe Atë Alexis Leproux, shkëmbyen mendime edhe me të rinjtë, mbi rolin e tyre në promovimin e tolerancës fetare, bashkëpunimit rajonal, solidaritetit e paqes.
“Me kënaqësi prita sot në mjediset e Kuvendit, të rinj të besimeve të ndryshme nga vendet e Mesdheut dhe Detit të Zi, në takimin “Shtegëtarë të Shpresës, Ndërtues të Paqes”.
U lumturova shumë në mëngjes kur ndoqa video-mesazhin e Papa Franceskut drejtuar këtij takimi, i cili, siç nënvizoi Ati i Shenjtë, “Zhvillohet 10 vjet pas udhëtimit tim të paharrueshëm në Shqipëri. Ju, të rinjtë e pesë brigjeve të Mesdheut, jeni brezi i ri dhe aveniri i rajonit të Mesdheut. Vëllazërimi mes pesë brigjeve të Mesdheut është përgjigja më e mirë që ne mund t’u japim konflikteve e indiferencave vrasëse. Përpiquni bashkarisht të kapni sinjalet e kohës.”
Në këtë takim, së bashku me Imzot Arjan Dodajn Arqipeshkev Metropolitan i Tiranë- Durrës dhe Atë Alexis Leproux, shkëmbyem mendime edhe me të rinjtë, mbi rolin e tyre në promovimin e tolerancës fetare, bashkëpunimit rajonal, solidaritetit e paqes”, shkruan Spiropali./Opinion.al