Burime jo zyrtare kanë bërë me dije se kamerat e sigurisë në burgun e Peqinit kanë fiksuar mbrëmjen e së enjtes pamje të një droni që fluturonte shumë pranë këtij institucioni.
Pas evidendimit të mjetit fluturues, sektori i sigurisë së burgut ka njoftuar policinë për marrjen e masave, pasi dyshohej se droni kryente fluturim me qëllim futjen në hapësirën ku ndodhen godinat e burgut të Peqinit, në afërsi të kalçetos.
Nga kontrollet e imtësishme të bëra në ambientet rreth godinave dhe terrenet sportive, në fushën e kalçetos së burgut u gjetën 31 doza kokainë, 210 gramë hashash, disa celularë dhe 8 fisha karikimi.
“Kjo ngjarje ka tronditur sistemin e sigurisë së burgjeve pasi tregon për një agresivitet dhe intensitet të veprimtarisë së grupeve kriminale me qëllim cënimin e sigurisë në institucionet e vuajtjes së dënimeve penale”, shkruan tvklan.
Në lidhje me këtë rast nuk ka ende një reagim zyrtar nga Drejtoria e Burgjeve, ndërkohë që është kaluar në gatishmëri të plotë në të gjitha institucionet e vuajtjes së dënimit.
Kujtojmë se disa ditë më parë në Burrel u kap një dron që ishte ngritur mbi ambientet e burgut. Për këtë arsye u ndalua një 36-vjeçar.