Dhuna ndaj grave dhe vajzave në Angli dhe Uells është rritur me gati 40 për qind në vitet e fundit, sipas të dhënave të publikuara në një raport të ri.
Autoritetet e rendit po bëjnë thirrje për më shumë veprime për të goditur përhapjen në internet të përmbajtjes mizogjene. Sipas tyre, përhapja në mediat sociale e përbuzjes dhe urrejtes ndaj grave po nxit shtimin e rasteve të dhunës ndaj tyre.
Në Britani, dhuna ndaj grave dhe vajzave ka arritur “nivele epidemike”, siç e cilësojnë autoritet policore.
Sipas një raporti të fundit nga Këshilli Kombëtar i Shefave të Policisë dhe Kolegji i Policisë, të paktën 1 në çdo 12 gra janë viktima të krimeve si dhuna seksuale, përdhunimi, përndjekja dhe ngacmimi.
Nga viti 2022-2023, çdo ditë, janë regjistruar 3 mijë raste të krimeve të dhunshme ndaj vajzave dhe grave në Angli dhe Uells, duke zënë 20 përqind të të gjithë rasteve të raportuara të akteve kriminale.
Këto të dhëna tregojnë se në një vit janë shënuar rreth 1 milion krime të dhunshme ndaj grave, por shifra reale mund të jetë dyfish, duke patur parasysh se shumë gra nuk denoncojnë në polici.
Disa gra, si Rachel, e cila po merr mësime vet-mbrojtëse ‘Jiu Jitsu’, po gjejnë mënyra se si të reagojnë në rast sulmi.
“Një herë u sulmova në rrugë dhe nuk dija si të mbroja veten. Isha vërtet e tronditur, nervoze dhe kështu po e mësoj këtë teknikë për të mbrojtur veten, por edhe gra të tjera në rast se i shoh se janë në rrezik”, shprehet ajo.
Krimet ndaj grave janë rritur me 37 për qind nga viti 2018 deri në vitin 2023.
Abuzimi seksual ndaj fëmijëve dhe ngacmimi është rritur me më shumë se 400 për qind nga 2013 deri 2022.
Por si të mbroheni kur kërcënoheni online?
Autoritetet e rendit thonë se burrat dhe djemtë po radikalizohen në internet nga persona me ndikim në rrjetet sociale të cilët përhapin përmbajtje përbuzëse dhe urrejtëse ndaj grave.
“Persona me ndikim në rrjetet sociale përhapin përmbajtje mizogjene dhe komente seksiste në internet dhe ndaj tyre nuk ka kontroll. Ne duam të bëjmë të mundur që publikimi i postimeve të tilla në internet të jetë i papranueshëm”, thotë Maggie Blyth zëvendës drejtore e policisë.
Policia po bën thirrje për bashkëpunim mes sistemit të drejtësisë, qeverisë dhe sektorit së medias on line për të trajtuar këtë problem. Qeveria e re britanike thotë se kjo çështje është në krye të agjendës së saj.
“Ne do të jemi shumë të qartë dhe të vendosur lidhur me rezultatet që presim nga agjencitë si policia, institucionet qeveritare dhe nga qytetarët tanë. Mendoj se kjo është përparësi, për njerëzit dhe vendin dhe tani edhe për qeverinë”, thotë Jess Phillips, Nënsekretare Parlamentare e Shtetit për Viktimat dhe për Sigurinë e Brendshme.
Por gjatë periudhës 2022 dhe 2023, një në gjashtë vrasje ishte e lidhur me dhunën në familje. Për ato gra që u vranë, ky ndryshim i premtuar është i vonuar./VOA