Sandro Tonali është rikthyer për të folur mbi rrugëtimin e tij të rikuperimit nga varësia ndaj lojërave të fatit (bixhozit). Mesfushori i Newcastle, aktualisht i skualifikuar për aferën e basteve, takoi nxënësit e gjimnazit ‘Salvemini’ në Bari në kuadër të procesit të rehabilitimit të planifikuar nga FIGC dhe iu referua shumë drejtpërdrejt çështjes:
“Ndoshta mes jush është dikush që vë baste dhe nuk e thotë, sepse ne shpesh mbyllemi në vetvete. Megjithatë, kur luan baste dhe ke një rrogë të lartë, të merresh me bixhozin është një rrezik i fshehur. Nëse nuk e frenon veten, të tjerët do t’ju ndalojnë. Po i hytë kësaj rruge mund të komprometoni miqësitë, marrëdhëniet dhe punën. Fshehja pas barrierave të një problemi nuk është kurrë zgjidhje”.
Në fillim të muajit, Tonali u dënua edhe nga “FA” për disa baste të vëna pas transferimit të tij në Angli (nga Milani), para se çështja të shpërthente në Itali. Megjithatë, tani synimi i tij është ta lërë pas vetes këtë periudhë të komplikuar dhe të shikojë përpara:
“Kam qenë kohët e fundit në një fabrikë, jam mundur të reflektoj për ata që punojnë 10 orë në ditë vetëm për të sjellë një rrogë në shtëpi. Kam kuptuar shumë gjëra të çmuara, njërën mbi të gjitha: nëse një punëtor do të humbiste, e gjithë familja e tij do të paguante pasojat. Unë e konsideroj veten me fat, por nuk kam humbur asgjë”.
Kishte hapësirë për të folur edhe mbi dallimet mes Italisë dhe Anglisë: “Në Angli futbolli është më i lodhshëm, por ka më pak presion. Fito ose humb, në mbrëmje mund ta jetosh jetën tënde. Në Itali, nëse gjërat shkojnë keq, shpesh nuk mund të dilni nga shtëpia. Duhet të rritemi të gjithë së bashku për të mirën e futbollit dhe shoqërisë sonë”.