Rusia do të përballet me pasoja për sulmin kibernetik, që dyshohet se është orkestruar nga një grup që ka lidhje me inteligjencën ushtarake ruse, tha ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock.
Gjermania është në mesin e shteteve perëndimore që i jep ndihmë ushtarake Ukrainës në luftën e saj me Rusinë.
Dhjetorin e kaluar, presidenti rus, Vladimir Putin, tha se raportet mes Rusisë dhe Gjermanisë janë gjerësisht të ngrira.
Në janar të vitit 2023, Berlini tha se hakerët rusë kishin sulmuar disa ueb-faqe gjermane, duke i nxjerrë nga përdorimi, në përgjigje të vendimit të Gjermanisë për të dërguar tanke në Ukrainë. Megjithatë, atëbotë autoritetet gjermane thanë se sulmi nuk kishte ndonjë efekt të ndjeshëm.
“Tani ne qartësisht mund t’ia atribuojmë sulmin e vitit të kaluar grupit rus, APT28, që kontrollohet nga shërbimi rus i inteligjencës ushtarake, GRU”, tha Bearbock gjatë një konference për media në Adelaide më 3 maj.
“Me fjalë të tjera, hakerët shtetërorë rusë kanë sulmuar Gjermaninë në hapësirën kibernetike”,shtoi Bearbock.
Kryediplomatja gjermane e cilësoi si të papranueshëm një sulm të tillë dhe tha se ai “nuk do të mbetet pa pasoja”.
Në mars, agjencia gjermane për siguri kibernetike dhe hulumtuesit që punojnë për Alphabet, të kompanisë Google, thanë se grupi i ngjashëm, i quajtur APT29, ishte kapur duke shënjestuar disa parti politike gjermane, me synimin që të vidheshin të dhënat e tyre./REL