Në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, kreu i Grupit të PD-së Gazment Bardhi është përplasur me kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla, për mos përfshirjen në draf-kalendar të kërkesës së opozitës për interpelancë urgjente me kryeministrin Edi Rama për investigimin e “RAI3”.
Bardhi shprehet se sa herë Kuvendi ka kërkesa të tilla kryeministri shmanget duke u mjaftuar me një postimin në Twitter.
Pjesë nga debati:
Bardhi: Nuk e kuptoj pse në draft-kalendare nuk është përfshirë kërkesa e grupit të PD, për interpelancë urgjente. Shpresoj të jetë gabim teknik pasi ndryshe do të ishte një shkelje e rëndë kushtetuese. Sa herë ka kërkesa të tilla kuvendi shtanget dhe mjaftohet duke lexuar statuset e Kryeminsitrit në Twitter. Kërkoj të shtohet në Kalendar.
Nikolla: Shqetësimi që keni paraqitur ju në interpelancë, pra objekti nuk ka lidhje me procedurën qe do duhet të thirret një interpelancë. Prandaj dhe nuk përfshihet.
Bardhi: Unë e kuptoj se ju recitoni diçka që ju kanë shkruar. Në baze të kushtetues unë kërkoj që kryeministri të vijë dhe të japë sqarime për një ndërhyrje skandaloze që ka bërë si kryeministër ndaj një media ndërkombëtare.