Policia ka dhënë detaje të tjera shtesë lidhur me aksidentin me 8 viktima, të ndodhur sot në aksin rrugor “Këlcyrë-Përmet”.
Sipas uniformave blu, automjeti drejtohej nga Edison Bregaj, 24 vjeç nga Shkodra, i cili gjithashtu humbi jetën në aksident bashkë me 7 emigrantë të vendeve të treta.
Paraprakisht mësohet, 24-vjeçari nga Shkodra ka shtuar shpejtësinë e mjetit, për t’i iku patrullës së policisë, të cilët e kishin pikasur në këtë aks.
Gjithashtu bëhet e ditur se automjeti tip “Benz” që drejtonte 24-vjeçari është marrë me qira në qytetin e Shkodrës, nga shtetasi A. Gj., 26 vjeç.
“Në vijim të informacionit paraparak të dhënë për aksidentin e ndodhur në aksin rrugor “Këlcyrë-Përmet”, në afërsi të fshatit Kuqar, si pasojë e të cilit humbën jetën 8 shtetas (drejtuesi i automjetit dhe 7 shtetas që dyshohet se janë nga Vendet e Treta), ju informojmë se nga verifikimet e kryera dyshohet se drejtuesi i këtij automjeti është shtetasi E. B., 24 vjeç, banues në Shkodër.
Gjithashtu, nga verifikimet e kryera rezulton se automjeti tip “Benz” që drejtonte shtetasi E. B. është marrë me qira në qytetin e Shkodrës, nga shtetasi A. Gj., 26 vjeç.
Policia e Shkodrës ka shoqëruar në Komisariat, shtetasin A. Gj., për ta marrë në pyetje për rastin. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për dokumentimin e plotë të ngjarjes”, njofton policia./Opinion.al