Gara e tretë e sezonit të ri në Formula 1 ka parë dy makinat e Ferrarit në krye, gjë që nuk ndodhte prej dy vitesh.
Skuderia italiane ka triumfuar në garën e Australisë duke fituar dy vendet e para me pilotët e saj. Pas dy fitoreve resht të Maks Verstapen, në garën e tretë të këtij sezoni, në Melburn fitues ishte Karlos Sainz.
Një arritje e madhe kjo për pilotin spanjoll i cili u rikthye në pistë pas operimit të apandesitit dy javë më parë. Në vend të dytë u rendit piloti tjetër i “Kokëkuqes” Charles Leclerc, i cili u ndoq në podium nga Lando Norri me McLaren.
Sainz e nisi garën në mënyrë të mrekullueshme duke parakaluar Verstapen në xhiron e dytë. Pa kaluar as dy xhiro të tjera kampioni i botës u tradhtua nga makina e tij Red Bull duke u detyruar të braktisë garë. Një problem në frenat e pasme i pamundësoi Verstapen vijimin e garës.
Ferrari ishte i paarritshëm nga rivalët, madje as nga Red Bull-i tjetër i Sergio Perez, që u klasifikua në vendin e pestë, pas makinës tjetër McLaren të Oscar Piastri, i katërti.
Ky është triumfi i tretë në karrierë për Sainz, në një garë që e dominoi nga xhiro e parë deri tek e fundit.
Gara u mbyll nën regjimin e makinës virtuale të sigurisë, pas aksidentit të George Russell në xhiron e fundit.