Mbajtën fjalime të gjatë në Kuvend dhe pritjen shtetërore, por krerët e shtetit të Kosovës nuk thanë asnjë fjalë për kontributin e Shqipërisë gjatë, para e pas luftës së Kosovës.
Analisti dhe ish-këshilltari i ish-Presidentit Hashim Thaçi thotë se ky anashkalim i Shqipërisë është i pandershëm.
“Mospërmendja e kontributit të jashtëzakonshmë që ka dhënë populli shqiptar, qeveri shqiptare për lirinë dhe për Pavarësinë e Kosovës nga z.Kurti dhe znj.Osmani është e pandershme, është e papranueshme”, thotë Artan Behrami.
I vetmi moment që Kryeministri foli për Shqipërinë në Kuvend ishte për zbatimin e marrëveshjeve ndërmjet dy shteteve.
“Për të, kontributi i Shqipërisë është i madh po aq sa i Serbisë, po aq sa i Malit të Zi, po aq sa i Maqedonisë dhe kjo është një tendencë po ashtu për rishkrim të historisë sepse Shqipëria në çdo kohë, në çdo moment ka ndihmuar popullin shqiptar, ka ndihmuar UÇK-në, ka ndihmuar periudhën e Ibrahim Rugovës, ka ndihmuar shtetndërtimin në Kosovë”, thekson analisti Behrami.
Deklaratat e tilla nuk i cilëson të rastësishme.
“Kryeministri Kurti nuk është aq budalla, një lider i cili ka fituar zgjedhjet në Kosovë për bashkim kombëtar, për bashkim me Shqipërinë, për bashkim të misionit diplomatik mes Kosovës dhe Shqipërisë, sot nuk e përmend kontributin e Shqipërisë”, shprehet Artan Behrami.
Një ditë më parë Kosova ka kremtuar 16-vjetorin e Pavarësisë. Kjo festë është konsideruar nga analistë e zbehtë pasi që Kosova është nën sanksione dhe në raporte jo të mira me miqtë ndërkombëtarë e veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës./tvklan