Ministri i Brendshëm, Taulant Balla u shpreh sot pas analizës vjetore të DVP Dibër dhe Kukës se janë mbuluar një numër i konsiderueshëm i pikave të kalimit kufitar dhe po ashtu edhe një sërë çështjesh që lidhen me krime kundër mjedisit apo problematika.
Balla tha se po punohet për një qasje të re në pikat e kalimit kufitar.
“Tani dua të ndaj me ju, informacionin se ne po punojmë për një qasje të re në pikat e kalimit kufitar. Ministria e Brendshme do të propozojë në Këshillin e Ministrave disa vendime që lidhen me marrjen në administrim nga Ministria e Brendshme të të gjitha pikave të kalimit kufitar, për t’i dhënë fund historisë së lloj-lloj ndërtimesh, që gjenden afër “buffer zone” të pikave të kalimit kufitar, me qëllim po ashtu, përmirësimin e të gjitha shërbimeve që ofrohen në PKK, qoftë nga policia kufitare, qoftë nga dogana shqiptare, apo nga institucionet e tjera publike. Kështu që në këtë aspekt, edhe kjo pikë e rëndësishme e kalimit kufitar, siç është Bllata për mua është e rëndësishme dhe do të ketë vëmendjen tonë edhe në përmirësimin e të gjitha shërbimeve që ofrohen në këtë pikë për të shkurtuar, sikurse e nënvizuat me të drejtë, kohën e përpunimit. Atë që kemi bërë në Qafë-Thanë, në komunikim me kolegët e Republikës së Maqedonisë së Veriut, ta bëjmë edhe në këtë pikë të kalimit kufitar”, tha Balla.