Një 30 vjeçar është arrestuar në Tiranë pasi shiste në rrugë me çmime fiktive, mallra kontrabandë.
Arrestimi i tij në kryeqytet u krye në rrugën “Reshit Çollaku” afër bulevardit “Gjergj Fishta”.
Gjatë kontrollit iu gjetën dhe i sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 25 ora dhe 2 stilolapsa të markave të ndryshme, të shtrenjta.
“Si rezultat i patrullimeve në terren dhe kontrolleve në subjekte të ndryshme, me qëllim parandalimin dhe goditjen e rasteve të kryerjes së aktiviteteve tregtare, në kundërshtim me ligjet, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të Drejtorisë për hetimin e këtyre krimeve, në DPPSh, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Okazion”.
Gjatë operacionit u kap në flagrancë në rrugën “Reshit Çollaku”, Tiranë, dhe u vu në pranga shtetasi Xh. L., 30 vjeç, banues në Tiranë.
Në vijim, u referuan materialet në Prokurori dhe për përcaktimin e përgjëgjësisë penale të punonjësve të Drejtorisë Vendore të Tatimeve Tiranë, që mbulojnë zonën ku shiste shtetasi Xh. L”, njofton policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme./Opinion.al