Ministri ugandez, Henry Okello Oryem, po përballet me kritika pasi i quajti “idiotë” ata që kanë vdekur si pasojë e urisë në Ugandë.
Oryem e argumentoi deklaratën duke thënë se njerëzit duhet të jenë në gjendje të kultivojnë ushqim për veten e tyre duke vënë theksin në klimën e favorshme dhe tokën pjelllore të Ugandës.
“Vetëm një idiot i vërtetë mund të vdesë nga uria në Ugandë. Nëse punon shumë, ka tokë në Ugandë. Klima është e përshtatshme përkundër ndryshimeve klimatike. Nëse bëni përpjekje të dilni në mëngjes, të punoni tokën, mbillni farat, ruani plantacionin, atëherë si nuk arrini të merrni ushqim?”, tha Oryem, ministri i Shtetit për Punët e Jashtme për “NTV Uganda”.
Një raport i një organi për të drejtat e njeriut tha se në vitin 2022, më shumë se 2,200 njerëz vdiqën nga uria dhe sëmundjet e lidhura me të në Ugandën Verilindore.