Një tjetër operacion mbarëkombëtar është zhvilluar në kuadër të luftës kundër lëndëve narkotike.
Klan News raporton se nga informacionet e deritanishme janë afro 100 persona të kapur në Tiranë, ndërsa në rang vendi janë mbi 150 persona në total.
Ky është vazhdimi i operacionit “Tempulli”. “Antidroga” prej kohësh ka nisur hetimet për goditjen e disa grupeve kriminale të cilët merren me shitje dhe trafik të drogave të forta dhe të lehta.
Operacioni në fjalë ka vijuar edhe në Korçë. Po sipas burimeve të Klan News, atje janë arrestuar mbi 10 persona, ndërsa janë shoqëruar shumë të tjerë. Aksioni ka ardhur pas një hetimi pro aktiv 3 mujor i Prokurorisë së Korçës në bashkëpunim me Policinë, që ka rezultuar me lëshimin e urdhër-arresteve për 10 personat, si edhe shoqërime të personave të tjerë që mund të procedohen në gjendje të lirë.
Mësohet se gjatë natës janë ushtruar kontrolle në mjete, banesa dhe lokale të qytetit të Korçës, por edhe të Maliqit.
Në vijim pritet komunikata zyrtare e policisë lidhur me këtë operacion.