SHBA do t’i ofrojë Izraelit ndihma ushtarake me vlerë miliarda Dollarë për të luftuar Hamasin, teksa ushtria izraelite ka rrethuar Rripin e Gazës.
Në një fjalim televiziv në Shtëpinë e Bardhë të enjten vonë, Biden tha se Hamasi kërkon të “asgjësojë” demokracinë e Izraelit.
Presidenti theksoi gjithashtu urgjencën për të marrë ndihmë për civilët palestinezë në Gaza, të cilëve u mungon ushqimi, uji dhe ilaçet.
“Ne nuk mund të injorojmë humanizmin e palestinezëve të pafajshëm që duan vetëm të jetojnë në paqe dhe të kenë mundësi,” tha Biden, i cili vizitoi Izraelin të mërkurën.
Izraeli dukej se po i afrohej një pushtimi në shkallë të plotë të Gazës, një enklavë me popullsi të dendur e sunduar nga Hamasi. Ushtria izraelite ka grumbulluar trupa dhe pajisje pranë kufirit të Gazës.
“Ju e shihni Gazën tani nga një distancë, së shpejti do ta shihni nga brenda. Komanda do të vijë,” u tha ministri izraelit i mbrojtjes Yoav Gallant trupave të mbledhura në kufirin e Gazës të enjten.
Biden tha se do t’i kërkojë Kongresit të premten që të miratojë fonde shtesë për “partnerin kritik” Izraelin. Një person i njohur me këtë çështje më herët tha se ndihma do të arrinte në 14 miliardë dollarë.
“Është një investim i zgjuar që do të paguajë dividentë për sigurinë amerikane për breza,” – shtoi Biden.
Izraeli ka goditur Gazën me sulme ajrore dhe ka vënë nën rrethim 2.3 milionë njerëzit e enklavës pasi personat e armatosur të Hamasit sulmuan qytetet dhe kibucat izraelite më 7 tetor, duke vrarë 1400 izraelitë dhe duke marrë shumë pengje.
Rreth 3,500 njerëz në Gaza janë vrarë dhe më shumë se një milion janë të pastrehë, sipas zyrtarëve palestinezë shëndetësorë. Civilët thonë se gjendja e tyre është e dëshpëruar pasi nuk kanë ushqim, ujë, karburant dhe furnizime mjekësore.