Zemërimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me ndërmjetësuesit evropianë të bisedimeve me Serbinë është “plotësisht i arsyeshëm”, thotë për Radion Evropa e Lirë Leon Hartwell, bashkëpunëtor i lartë në Shkollën e Londrës për Ekonomi dhe Shkenca Politike.
Nga këndvështrimi i Kurtit, thotë ai, “duket sikur Kosovës i kërkohet t’i respektojë me ngulm marrëveshjet e ndërmjetësuara nga BE-ja”, ndërsa Serbia, e cila “nuk është zotuar për nënshkrimin dhe ratifikimin e ndonjë marrëveshjeje të tillë, mund të zgjedhë çfarë të zbatojë”.
Duke folur të hënën në një konferencë me gazetarët në Prishtinë, Kurti tha se i dërguari i BE-së për bisedimet Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, u pozicionua kundër Kosovës në takimin mes palëve, që u zhvillua javën e kaluar.
Në atë takim, Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk u pajtuan për hapat që duhet t’i ndërmarrin për zbatimin e Marrëveshjes bazë për normalizimin e marrëdhënieve – e arritur në Bruksel në muajin shkurt.
Zyrtarët evropianë – ndërmjetësues të dialogut – thanë se ishte Kurti ai që e refuzoi propozimin e tyre për “përmbushje të njëkohshme” të detyrimeve që dalin nga kjo marrëveshje, ndërsa Vuçiq e pranoi.
“Ose do ta zbatojmë Marrëveshjen bazike në tërësi e plotëni të saj, ose nuk mund të zbatojmë vetëm ato që i dëshiron Serbia”, tha të hënën Kurti.
“Ditëve në vijim, me siguri që unë do të kem takime me të gjithë faktorët ndërkombëtarë, të cilët e kanë pranuar shtetin e Kosovës dhe të cilët dëshirojnë të na ndihmojnë”, shtoi ai.
Qeveria e Kosovës nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë se a po i mbyll kryeministri Kurti dyert e komunikimit me Lajçakun.
Deri në publikimin e këtij artikulli, as Bashkimi Evropian nuk iu përgjigj kërkesës së REL-it për të komentuar deklaratat e kryeministrit të Kosovës.
Zemërimi me Lajçakun, i kamotshëm
Hartwell thotë se “është e rëndësishme të sqarohet se Kurti nuk po ia mbyll derën BE-së si institucioni kryesor lehtësues” i bisedimeve.
“Zemërimi i tij përqendrohet kryesisht në performancën e Josep Borrellit dhe të Mirosllav Lajçakut – dy zyrtarëve më të shquar evropianë, të ngarkuar me ndërmjetësimin e dialogut Beograd-Prishtinë. Përveç trajtimit pa kujdes të dialogut dhe qasjes së tyre të pabarabartë, vlen të theksohet se Borrell dhe Lajçak vijnë nga Spanja dhe Sllovakia, dy vende që nuk e njohin zyrtarisht pavarësinë e Kosovës”, thotë Hartwell.
Për Afrim Hotin, profesor i së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, mosbesimi ndaj Lajçakut daton nga koha kur ai ishte ministër i Punëve të jashtme të Sllovakisë – njëherë në periudhën 2009-2010, pastaj më 2012-2020.
Nga ai post, kujton Hoti, Lajçak ka votuar kundër Kosovës në procesin e pranimit të saj në organizata ndërkombëtare.
“Kjo që kryeministri kosovar po e vë tashmë në shesh, praktikisht është ditur shumë më herët, vetëm se tashmë po thuhet me terma shumë të qartë. Nisur nga fakti që zoti Lajçak e ka mbështetjen e të gjitha qendrave kryesore të Bashkimit Evropian, por edhe atyre dytësore – pra, të të gjitha shteteve anëtare të BE-së, përfshirë këtu edhe mbështetjen e fuqishme nga SHBA-ja, kujtoj se situata po bëhet vërtet e komplikuar”, thotë Hoti për Radion Evropa e Lirë.
“Shpërblyese të regjimit të Vuçiqit”
Me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e SHBA-së, Kosova dhe Serbia kanë nisur bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve në vitin 2011.
Palët kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por shumë prej tyre nuk janë zbatuar.
Kurti tha të hënën se Kosova nuk do që Shtetet e Bashkuara ta marrin përsipër dialogun, pasi theksoi se në këtë proces “Uashingtoni dhe Brukseli janë bashkë”.
Hartwell thotë se si BE-ja, ashtu edhe SHBA-ja shihen “si shpërblyese dhe akomoduese të regjimit të Vuçiqit, ndërkohë që ndërmarrin ndëshkime ndaj Kosovës”.
“Një shembull i kësaj është kur serbët e Kosovës, të cilët kanë lidhje të forta me Beogradin, u përfshinë në një lëndim të trupave të NATO-s, në maj. Si përgjigje, BE-ja dhe SHBA-ja vendosën kufizime ndaj Kosovës, duke përfshirë pezullimin e pjesëmarrjes së Kosovës në stërvitjen ushtarake Defender 23”, thotë Hartwell.
Hoti thotë se Qeveria e Kosovës ka kohë që ka krijuar një hendek në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili, sipas tij, sa vjen e thellohet.
“Madje është një moment për t’u shqetësuar për të gjithë qytetarët e vendit. Në këtë drejtim, mendoj se politika e jashtme ose vizioni për politikën e jashtme duhet të ristrukturohet dhe të ripozicionohet, sepse si e tillë që është, sot jemi pothuajse pa politikë të jashtme, por edhe ajo që ekziston, mendoj se është duke ecur në drejtim të gabuar”, thotë Hoti.
Kosova është bërë subjekt i masave ndëshkuese nga BE-ja dhe SHBA-ja – përfshirë pezullim fondesh e takimesh të nivelit të lartë – pasi e kanë fajësuar për tensionet e larta në veri të vendit.
Situata në këtë zonë të banuar me shumicë serbe është acaruar në fund të majit, kur grupe serbësh lokalë kanë nisur protestat për të kundërshtuar vendosjen e kryetarëve shqiptarë – nën përcjelljen e policisë – në zyrat e komunave në veri.
Protestat në zonë janë shndërruar disa herë në përleshje të dhunshme – më të rëndat kanë qenë më 29 maj, kur dhjetëra ushtarë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, kanë mbetur të plagosur.
Qeveria e Kosovës thotë se është në proces të zbatimit të një plani të BE-së për shtensionimin e situatës, që përfshin edhe organizimin e zgjedhjeve të reja lokale.
Çfarë thonë në Serbi?
Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “nuk do bisedime” e as “kompromis” me Serbinë.
Duke folur para gazetarëve të hënën, ai tha se “Kurti nuk e do Asociacionin e komunave [me shumicë] serbe” dhe se është ai që “nuk ka dashur të bisedojë për shtensionimin” e situatës në veri të Kosovës.
“Vuçiq, qartazi, ka treguar se është i gatshëm për zgjidhje kompromisi, sepse kjo është mënyra e vetme për t’i mbrojtur serbët në Kosovë”, tha Petkoviq, vendi i të cilit synon anëtarësimin në BE, por ruan marrëdhënie të ngushta edhe me Rusinë.
Si mund të çohet dialogu përpara?
Takimi i Kurtit më 14 shtator ishte i pari pas më shumë se katër muajsh.
Opozita në Kosovë vlerëson se masat që BE-ja i ka ndërmarrë ndaj Kosovës, e qesin vendin, përkatësisht kryeministrin Kurti në një pozitë më të pafavorshme.
Sipas disa përfaqësuesve të Partisë Demokratike të Kosovës, shtegdalje do të ishte largimi i kësaj qeverie.
“Për herë të parë Kosova është e vetme në dialog karshi Serbisë. Fatkeqësisht, duket se Qeveria e Kosovës sot nuk e ka afër asnjë aleat për konsultime paraprake, siç ka ndodhur gjithmonë në procese negociatore të Kosovës me Serbinë”, shkroi Avdullah Hoti i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Facebook, pas raportimit të Kurtit para gazetarëve.
Hartwell, nga Shkolla e Londrës për Ekonomi dhe Shkenca Politike, thotë se BE-ja dhe SHBA-ja duhet të vendosin një objektiv të mirëpërcaktuar për zgjidhjen e konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë, pasi termit “normalizim”, thotë ai, i mungon qartësia.
“Për më tepër, është thelbësore të pranohet realiteti se ‘marrëveshjet’ e famshme nuk janë vërtet ligjërisht të detyrueshme, duke e lejuar Vuçiqin që në mënyrë selektive t’u japë përparësi preferencave të tij. Ekziston, gjithashtu, një nevojë urgjente për t’i pranuar mangësitë në procesin aktual të dialogut. Pasi të jetë vendosur njohja [Kosovë-Serbi], hapi tjetër do të duhej të ishte hartimi i strategjive për t’i dhënë fund konfliktit përfundimisht”, përfundon Hartwell.
Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë se është i zhgënjyer me mungesën e përparimit në dialogun Kosovë-Serbi dhe ka paralajmëruar se do të konsultohet me partnerët për hapat e ardhshëm./ REL