Policia e Sarandës, pas informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, për vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim për plagosje, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Wanted”, si rezultat i të cilit u lokalizua, u kap dhe u vu në pranga shtetasi Jani Rraku, 25 vjeç, banues në Kalasë, Delvinë.
25-vjeçari ishte shpallur në kërkim policor për plagosje dhe mbajtje të armëve të ftohta, pasi dyshohet se për shkak të një konflikti të çastit, të ndodhur në shëtitoren e Sarandës, ky shtetas ka plagosur me thikë shtetasin Erion Xhuvani, 40 vjeç, banues në Sarandë, i cili është jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme./Opinion.al