Policia e Elbasanit ka reaguar lidhur me denoncimin e bërë nga një qytetarë, i cili filmoi një automjet të policisë duke kryer parakalime të gabuara.
Video u bë publike në një portal dhe vetëm pak orë më pas policia bën me dije se ka marrë masa ndaj drejtuesit të mjetit.
Sipas uniformave blu, punonjësi i policisë është gjobitur me 3000 lekë të rinj dhe ka nisur hetimi për shkelje të lehtë.
“Në lidhje me një video të postuar në portalin “JOQ”, në të cilën shfaqet një automjet policie, duke kryer parakalime të gabuara, ju informojmë se:
Menjëherë pas publikimit të kësaj video-je, shërbimet e Sektorit të Qarkullimit Rrugor të DVP Elbasan kanë ndëshkuar drejtuesin e këtij automjeti, punonjësin e Policisë inspektor A. B., me masën administrative maksimale për shkeljen e kryer (3000 lekë të rinj), bazuar në pikën 15, të paragrafit të 2-të, të nenit 146 të Kodit Rrugor.
Drejtuesi i automjetit, inspektor A. B. ka bërë shlyerjen e menjëhershme të masës administrative.
Gjithashtu, për punonjësin e Policisë inspektor A. B. ka nisur hetimi administrativ, për shkelje të lehtë.
Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan fton qytetarët të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor, dhe i garanton ata se do të reagojë menjëherë dhe konform ligjit”, njofton policia./Opinion.al