Një sherr mes disa personave ka ndodhur në jug të vendit. Në rrjetet sociale janë publikuar gjatë ditës së sotme disa pamje nga momenti kur një makinë tip ‘JEEP’ me 4 persona brenda, mbërrijnë në një biznes të zonës, të pajisur me shkopinj bejsbolli, dhe i vërsulen disa personave të tjerë.
Në pamjet e publikuara shikohet momenti kur agresorët dalin me vrap nga makina e shkojnë në drejtim të personave brenda biznesit në fjalë, ndërsa në këtë moment shfaqet një punonjës i policisë, i cili arrin të neutralizojë vetëm njërin prej tyre.
Mësohet se, ngjarja ka ndodhur për shpërndarjen e disa fletushkave në zonën e plazhit, ndërsa pasdite ka reaguar edhe Policia e Shtetit, e cila me anë të një njoftimi për mediat bën me dije se, ngjarja e rëndë është parandaluar falë ndërhyrjes në kohë të kolegëve të tyre, të planëzuar në garantimin e sezonit turistik në zonë.
“Himarë/Informacion sqarues: Ndërhyrja në kohë e punonjësve të planëzuar për garantimin e sezonit turistik, në Llaman, Himarë, parandalon përshkallëzimin e mëtejshëm të një konflikti, për motive të dobëta. Nisur dhe nga disa pamje filmike të publikuara në media, në lidhje me një konflikt fizik midis disa personave në zonën e Llamanit, sqarojmë se i menjëhershëm ka qenë reagimi i punonjësve të policisë, që patrullojnë në atë sektorë, të cilët pas neutrailizimit të të dyja palëve të përfshira në konflikt, kanë bërë më pas shoqërimin e tyre në ambientet e Komisariatit të Policisë Himarë. Në vijim të veprimeve në lidhje me rastin, ka rezultuar se shtetasit A. M., 35 vjeç dhe K. M., 24 vjeç, janë konfliktuar fizikisht dhe kanë tentuar të godasin me sende të forta shtetasin Ll. Q., 74 vjeç, pasi ky i fundit ka dërguar dy punonjësit e tij shtetasit R. L dhe R. A., të shpërndanin disa fletëpalosje për të reklamuar biznesin e tij, i cili ndodhet afër me subjektin e palës tjetër të përfshirë në këtë konflikt. Asnjë nga shtetasit e përfshirë në këtë konflikt nuk ka ngelur i dëmtuar, pasi konflikti është neutralizuar në kohë nga efektivët e Policisë. Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Himarë, në përfundim të veprimeve procedurale do të referojnë materialet në Prokurori, për veprime të mëtejshme”,-thuhet në njoftimin e Policisë së Himarës.