Një qytetare nga Elbasani është ankuar pranë emisionit Stop në Tv Klan se numri i pallatit të saj nuk përputhet me adresën që ka në Gjendjen Civile.
Zonja Argjiro Dimo ankohet se numri i pallatit të saj që është 41/6, në Gjendjen Civile rezulton 40, kur ndërkohë numri 40 mund të jetë i një pallati tjetër.
Ajo thotë, se në certifikatën e pronësisë numri është 41/6, por nuk i jepet shpjegim, se pse ndodh kjo. Argjiroja thotë se do ta ketë informacionin të saktë për pallatin.
“Banoj në këtë pallatin në rrugën “11 Nëntori”, pallati mban numrin 41/6. Dhe dokumentet që unë kam marrë shtëpinë kur e bleva këto të dhëna kam dhe më rezulton hera-herës më nxjerrin numër tjetër. Dhe nuk e kam të regjistruar fare numrin. Unë e kërkoj, nuk ma japin, ose më japin numër tjetër. Kam shkuar për të kërkuar numrin që më takon ku banoj. Më jep certifikatën me numrin që dëshiron ajo zonja që punon atje edhe më thotë këtë do marrësh. Në Gjendjen Civile ma jep numrin 40. Ndërsa faktikisht është 41/6. Më sjell problematikë sepse unë jam e moshuar, ndonjëherë mund të lindi problemi më vijnë njerëz nga larg. Kërkesa ime është që unë në një certifikatë që marr në Gjendjen Civile të regjistrohet lagjia, rruga tamam dhe numri i pallatit ai që është”, thotë zonja Argjiro Dimo.
Stop iu drejtua zyrës së Gjendjes Civile në Elbasan dhe punonjësja shpjegoi se adresari i ri ka saktësuar të gjitha adresat, por ka një problem me adresarin që përdor Kadastra, i cili është i vjetri.
Punonjësja: Eshtë numër i vjetër. Nuk ekziston. U ndryshua komplet sistemi jonë. Nuk përputhet. Ai numër 41/ 1 apo 4, apo 5 nuk ekziston më.
Gazetarja: Mund të ketë problem, nëse ekziston një pallat tjetër me numër 40? Sic kjo e ka në gjëndjen civile, mund të rezultojë tek një tapi tjetër.
Punonjësja: Nuk përputhen dy sisteme. Sistemi i hipotekës me sistemin tonë./ Tv Klan