Kanë dalë pamjet që tregojnë zjarrvenësin duke u larguar me vrap, pasi i ka vënë flakën Sarajave të Toptanëve. Sipas policisë ngjarja ndodhi rreth orës 23:40, në rrugën “Abdi Toptani”.
Autori ende nuk është identifikuar por kamerat e sigurisë kanë kapur momentin teksa ai largohet përballë qendrës ‘Torre Drin’.
Sarajet u ndërtuan rreth viteve 1833-1840 dhe janë një nga të paktat saraje feudalësh të ruajtura në qytetet e Shqipërisë. Ato përbëhen nga 32 ambiente në stilin oriental, të zbukuruara me dekoracione të ndryshme.
Sarajet përbëjnë një kompleks arkitektonik me mure, oborre, puse, rrugë, porta të mëdha, banesa dhe ambiente ndihmëse. Rrethuar me mure masive të lartë prej guri, ky kompleks krijon një fortifikim, duke marrë pamjen e një kështjelle të vogël. Këto ndërtime, karakteristike për shtresën e feudalëve, u përhapën nga gjysma e dytë e shek. XIX në trevën e Tiranës./Opinion.al