Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale ka ashpërsuar edhe më tej retorikën politike gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare në Maqedoninë e Veriut.
Ish-kryeministri dhe lideri i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski ka paralajmëruar maqedonasit se fitorja e VMRO-DPMNE-së në zgjedhjet e 8 Majit do të thotë mbyllje e perspektivës europiane për Maqedoninë e Veriut.
Ndërsa mori pjesë në një takim elektoral në Gostivar, ai akuzoi gjithashtu Mickoskin se po përdor një retorikë që rrezikon të nxisë tensione ndëretnike.
“Kthimi i regjimit do t`i mbyllë BE-perspektivat, mediat e lira, do t’i japë fund gjyqësorit të pavarur dhe shtetit demokratik ku sot secili mund të shprehet lirshëm. Qytetarët të mos bien pre e provokimeve të këtilla. S`kemi shtet tjetër. Fëmijët tanë meritojnë të ardhme në vendet e tyre.”
Fushata për zgjedhjet parlamentare ka hyrë në gjysmën e dytë, kurse partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhjet e 8 Majit kanë edhe 10 ditë kohë për të shpalosur platformat e tyre para qytetarëve.