Qendrat e votimit janë hapur në Kroaci për raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.
Rreth 3,8 milionë qytetarë me të drejtë vote, do të zgjedhin sot ndërmjet presidentes aktuale Kolinda Grabar-Kitaroviç dhe ish-kryeministrit Zoran Milanoviç.
Këto zgjedhje shihen si test për partinë në pushtet, HDZ. Presidentja aktuale, Grabar-Kitaroviç doli e dyta në raundin e parë të zgjedhjeve që u mbajtën më 22 dhjetor, ku 11 persona garuan për postin e presidentit.
Posti i presidentit në Kroaci është kryesisht post ceremonial, por ekspertët thonë se nëse Grabar-Kitaroviç nuk fiton zgjedhjet presidenciale, kjo do të mund të shkaktonte probleme për kryeministrin Plenkoviç të partisë HDZ, gjatë zgjedhjeve të përgjithshme që priten të mbahen vitin e ardhshëm.
Që prej shpalljes së pavarësisë në vitin 1991, vendi është qeverisur shumicën e kohës nga partia HDZ.