Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha e ka quajtur humbjen në Dibër të kandidatit të djathtë Sherefedin Shehu, si “ditën kur politika dhe krimi u bënë bashkë”. Këto deklarata Basha i bëri nga homazhet për 18-vjetorin e vrasjes së Azem Hajdarit.
“Jeta e tij ishte e shkurtër, përkujtimi i tij do të jetë i përjetshëm. Kujtimi i tij na jep kurajo dhe vendosmëri. E sotmja është ditë e zezë për politikën shqiptare. Është dita kur politika dhe krimi u bënë njësh.
U bënë njësh sepse politika në aleancë me krimi u kthye në politikë në shërbim të krimit. Politika në shërbim të krimit prodhoi sulmin e madh ndaj vlerave të demokracisë, zhytjen e Shqipërisë në kriminalitet, pasiguri dhe vrasjen e heroit të demokracisë. Mos pajtohemi me inkriminimin e politikës. E sotmja është një ditë kushtrimi, një betejë me përmasa epike na pret në mejdanin e historisë”, u shpreh kryetari i PD Lulzim Basha.