Teksa mediat perëndimore kanë pasqyruar tmerret e luftës në Ukrainë mediat ruse kanë pasqyruar në një mënyrë krejtësisht të ndryshme realitetin, duke bërë që shumë pak qytetarë të dinë të vërtetën.
Që kur mizoritë u shpalosën në fshatrat përreth Kievit, media ruse ka bërë një përpjekje të jashtëzakonshme për t’i paraqitur ato një sajesë nga Ukraina dhe Perëndimi. Në të gjitha kronikat televizive dominon fjala “operacion special ushtarak”. Nuk ka luftë, vetëm ushtarë heronj që mbrojnë atdheun, duke u kujdesur për të shmangur shënjestrimin e civilëve shkruan “BBC”.
Pamjet e tmerrshme nga Bucha janë transmetuar, por shikuesve u thuhet se skenat e tmerrshme janë inskenuar nga zyrtarë ukrainas, me ndihmën e Perëndimit.
“Kjo është bërë nga profesionistë, ndoshta britanikë“, thotë komentatori Gevorg Mirzaryan. Ndërsa prezantuesja e një emisioni në Rusi, Olesya Loseva madje deklaron se qyteti i Bucha është zgjedhur qëllimisht sepse presidenti amerikan Joe Biden ka përdorur së fundmi fjalën kasap për të përshkruar kreun e Kremlinit Vladimir Putin, kështu që “për amerikanët kjo fjalë duhet të jetë e qartë“.
Media britanike përfundon duke thënë se është një taktikë klasike e Kremlinit përballë akuzave të tilla – mohoni, hidhni poshtë si të rreme dhe, nëse është e mundur, fajësoni dikë tjetër.
Kjo qasje është ndjekur edhe nga ish-presidenti Dmitry Medvedev, i cili ka shkuar aq larg sa ka akuzuar forcat e armatosura të Ukrainës për vrasjen e civilëve të tyre “në mënyrë që të dehumanizojnë Rusinë dhe ta denigrojnë atë“.