Policia ka zbardhur bisedën e fundit telefonike mes autorit Esat (Aleksandër) Dushaj me dy vëllezërit Shkami, përpara se të ndodhte masakra.
Siç bëhet e ditur, autori Dushaj kishte kërkuar më parë dorën e vajzës së njërit prej vëllezërve, Abdulla Shkamit, por ky i fundit, nisur nga precedentët penalë të autorit kishte refuzuar.
Nga ana tjetër, ai, që ta mbante vajzën larg Dushajt, e kishte dërguar atë në Britani te vëllai i tij, Skënder Shkami që të mos kishte kontakte me Dushajn.
Ky i fundit kishte shpresuar se vajza do të kthehej për festat e fundvitit së bashku me Skënderin, mirëpo nuk ndodhi kështu.
Ditën e djeshme, para masakrës, Dushaj i kishte telefonuar Abdullait dhe i kishte kërkuar që ta sillte vajzën në Shqipëri.
Gjatë bisedës pati grindje dhe fyerje mes të dyve. Në këtë moment, Dushaj mori armën automatike dhe u zuri pritë dy vëllezërve duke i qëlluar me breshëri automatiku dhe duke i lënë të vrarë në vend. /Panorama